Telegrafi

Policia e Kosovës konfirmon se Agim Ademi është dërguar në mbajtje

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi është dërguar në mbajtje pas koordinimit të Policisë së Kosovës me prokurorinë e shtetit.

Gjatë ditës së djeshme (e mërkurë), punëtori i FFK-së, Artan Govori ftoi policinë e shtetit në objektet e Federatës, duke aluduar në një sulm fizik nga kryetari Ademi.

Kryetari i FFK-së disa minuta më vonë e mohoi një gjë të tillë, duke e cilësuar si shantazh ndaj imazhit të tij dhe Federatës.

Lexo po ashtu Rrahje në FFK, Agim Ademi dyshohet se sulmoi punëtorin e Federatës

Megjithatë, në orët e mbrëmshme, Ademi është ftuar nga Policia e Kosovës për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Sot (e enjte), gjatë orëve të para të mëngjesit, zëdhënësja e PK-së, Flora Ahmeti ka konfirmuar për Telegrafin, se kreu i FFK-së është dërguar në mbajtje.

Në koordinim me prokurorinë, rasti i Ademit ndaj Govorit është cilësuar si ‘sulm’.

Lexo po ashtu Agim Ademi mohon sulmin ndaj Artan Govorit: Tjetër e pavërtetë, inskenim dhe shantazh për imazhin tim dhe të FFK-së

Njoftimi i Policisë për Telegrafin  

“Me datën 16.03.2022 rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për një rast sulmi, i cili ka ndodhë në zyrat e FFK-së. Lidhur me këtë rast aktualisht në stacion policor është duke u intervistuar pala ankuese. Për detaje njoftoheni me kohë.

Informatë shtesë:

“Lidhur me këtë rast janë intervistuar disa persona, njëri nga ta në cilësinë e personit të dyshuar”.

“Në koordinim me prokurorin e shtetit, rasti është iniciuar sulm dhe personi i dyshuar është dërguar në mbajtje”.

/Telegrafi/