Policia e Kosovës ka filluar hetimet për kompaninë “B.S.B. Aviation” nga Prizreni, e cila në bashkëpunim në bashkëpunim me kompaninë “O.B.M Aviation” nga Gjermania ka premtuar 2000 vende pune në Gjermani për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Lajmin e konfirmoi për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.
Ai tha se me këtë rast po merret Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e cila është duke i trajtuar në aspektin policor.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit i ka këto informacione dhe të njëjtat është duke i trajtuar në aspektin policor”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkaq, të mërkurën kompania “B.S.B. Aviation”, nga Prizreni mblodhi në shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”, shumë qytetarë nga e gjithë Kosova për t’ua treguar kushtet dhe mënyrën e punësimit në Gjermani.
Ndryshe, një ditë më parë në lidhje me këtë rast ka folur edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili tha se po merren organet kompetente.
“Organet kompetente janë në proces, por nuk po paragjykojmë diçka tash, se pse është e vështirë të thuhet menjëherë diçka, por organet kompetente janë në proces. Me siguri do të kemi ndonjë konfirmim se çka po ndodh”, tha Haradinaj.
Por drejtuesit e kompanisë “B.S.B Aviation” kanë thënë dje për Telegrafin se ata nuk janë ftuar nga asnjë organ i shtetit për të dhënë sqarime rreth konkursit të tyre për punë, ndërsa sot Telegrafi ka tentuar t’i kontaktojë në numrin e kontaktit të biznesit në ARBK, por nuk u janë përgjigjur thirrjeve telefonike.
Dyshimet kanë ardhur pasi që kompania B.S.B Aviation është regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovë, (ARBK), e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) me pronar Bujar Berisha, është regjistruar si biznes me 24 tetor 2018 me kapital prej vetëm 1000. /Telegrafi/