Rreth 500 kilogramë është sasia e drogës së konfiskuar nga Policia e Kosovës në një operacion kundër trafikimit me substanca narkotike, shkruan kallxo.com.
Kjo është sasia më e madhe e drogës e kapur ndonjëherë nga Policia e Kosovës në një operacion të vetëm.
Përmes një komunikate, Policia ka bërë të ditur se në Drejtorinë Rajonale në Ferizaj do të organizojë një konferencë për media, gjatë të cilës do të ofrojë detaje rreth operacionit i cili ka rezultuar me konfiskimin e “qindra kilogramëve” lëndë narkotike.
Kjo sasi e drogës është konfiskuar pas një operacioni të ngjashëm, të zhvilluar më 25 e 26 prill, me ç’rast janë konfiskuar mbi 300 kilogramë drogë e lloji marihuanë.
Lidhur me këtë rast janë arrestuar nëntë persona.
Kjo ishte sasia më e madhe e drogës e konfiskuar gjatë një operacioni që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur Policia në pikën kufitare Dheu i Bardhë kishte kapur 240 kilogramë marihuanë, e cila besohej se ishte e destinuar për Zvicër.
Fotografia kryesore: ILUSTRIM