Policia e Kosovës ka demantuar raportimin për ndonjë sulm nga serbët në veri të Kosovës.
“Referuar pyetjeve të shumta adresuar Policisë së Kosovës se, a është sulmuar Policia në Zubin Potok, apo a ka pas shkëmbim të zjarrit mes Policisë dhe grupeve kriminale, ju informojmë se;
Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi, PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt”, thuhet në reagimin e policisë.
Ndërkaq, më herët u raportua se ka pasur gjuajtje me armë zjarri në Zubin Potok.
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, në një shkrim në Twitter, ka thënë se njësiti i KFOR-it është sulmuar nga serbët, mbështetur nga rusët.
“Krahas sulmit të Policisë së Kosovës, tani kriminelët serbë në veri të Kosovës të mbështetur nga rusët kanë sulmuar njësinë letoneze të KFOR-it”, tha Musliu.
Mediat serbe kanë raportuar se rreth orës 19:45 janë dëgjuar shkëmbime zjarri në Zubin Potok, dhe se të shtënat kanë ndodhur pasi Policia e Kosovës “ka dashur të heqë njërën nga barrikadat” në këtë komunë në veri të Kosovës. /Telegrafi/