Site icon Telegrafi

Policia e Kosovës demanton mediat dhe Ministrinë Serbe të Mbrojtjes

Policia e Kosovës ka reaguar ndaj një dezinformate të lëshuar në mediat serbe se kinse një grup pjesëtarësh të armatosur të Policisë së Kosovës e kanë kaluar vijën kufitare me Serbinë në veri të vendit.

Policia e Kosovës (PK), me qëllim të informimit të drejt të opinionit dhe qytetarëve, reagon ndaj disa shkrimeve të publikuara kryesisht në media serbe, e të cilat i referohen një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, se kinse sipas tyre një grup pjesëtarësh të armatosur rëndë të Policisë së Kosovës kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare me Serbinë në veri të vendit.

Në reagimin e PK-së thuhet se “shkrimet e tilla të referuara në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë”.

“Andaj këto shkrime dhe njoftimi i publikuar si i tillë, është një dezinformacion i cili ka për qëllim të krijoj pasiguri te qytetarët e asaj zone dhe të njollosë punën e Policisë së Kosovës”.

Më tej thuhet “Policia e Kosovës, si institucion i besueshëm dhe transparent do kujdeset në vazhdimësi që të ofrojë informacione zyrtare për media dhe opinionin e gjerë, kurdo që ato kërkohen dhe janë të nevojshme për media dhe publikun”.

Ndryshe Ministria e Mbrojtjes e Serbisë pretendoi se një grup i policëve të Kosovës, të armatosur rëndë, kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare në fshatin Çirkoviq, në Leposaviq.

Ministria serbe e Mbrojtjes tha se “kalimi i paautorizuar i vijës administrative” mes Serbisë dhe Kosovës paraqet “provokim të rrezikshëm dhe kërcënim për paqen”.

Kjo ministri tha se ushtria serbe po vëzhgon situatën në terren dhe “janë të gatshëm të reagojnë” në bazë të Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 350 kilometra dhe mbi 60 për qind e kësaj vije përfshin komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. /Telegrafi/

Exit mobile version