Site icon Telegrafi

Policia e Kosovës: Crvena Zvezdas do t’i ndalohet hyrja në Kosovë

Policia e Kosovës ka thënë se klubit serb, Crvena Zvezdas nuk ka mbërritur sot (e mërkurë) në Kosovë dhe se atyre do t’i ndalohet hyrja në territorin tonë për të zhvilluar ndeshjen ndaj Trepçës (klubit ilegal serb).

Ndeshja mes klubit nga Beogradi dhe Trepçës serbe nga Mitrovica planifikohej të mbahet në Kosovë, përkatësisht në Mitrovicë, ani pse i takon 1/16-tës së Kupës së Serbisë.

Gjithsesi, Crvena Zvezda mund të kthehet prapa ende pa hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut të Mitrovicës, Branislav Radoviq, për lajmi.net ka konfirmuar se ekipi i Crvena Zvezdës, ani pse është nisur qysh ditën e djeshme, ende nuk ka hyrë në Kosovë.

Lexo po ashtu Crvena Zvezda niset drejt Kosovës, klubi poston foto nga nisja e lojtarëve

Ai ka thënë se skuadrës serbe nuk do t’i lejohet hyrja në Kosovë.

“Crvena Zvezda nuk ka mbërritur në Kosovë. Unë jam pyetur për këtë çështje edhe mbrëmë nga mediat serbe dhe përgjigja ime është e njëjtë edhe sot se skuadrës nga Beogradi nuk do t’i lejohet hyrja në Kosovë. Njësoj atyre u është ndaluar zhvillimi i ndeshjes në fjalë”, ka thënë Radoviq.

Megjithatë, ai nuk e përjashton mundësinë se mund të ndryshojë vendimi që Crvena Zvezda të lejohet të hyjë në Kosovë.

“Nuk e di nëse diçka do të ndryshojë në momentet e fundit por deri më tani vendimi është që të mos lejohet hyrja e Crvena Zvezdës në Kosovë”, ka thënë tutje ai.

Lexo po ashtu Mediat serbe: FIFA e lejon Crvena Zvezdën që të luajë në Kosovë, madje është njoftuar edhe FFK

FFK-ja kërkoi nga FIFA që të pengojë zhvillimin e kësaj ndeshjeje, duke u thirrur në të drejtën e garantuar si organizatore e vetme e garave të futbollit në territorin e Kosovës.

Por FIFA, befasisht, mori qëndrim që shkon në favor të Serbisë dhe në dëm të futbollit kosovar dhe FFK-së.

Exit mobile version