Telegrafi

Policia e Kosovës arreston personin e shumë kërkuar, i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës

Policia e Kosovës njofton se sot me datën 16.07.2023, rreth orës 17:00, në Batllavë të Podujevës është arrestuar i shumë kërkuari (I, A,) i njohur me nofkën “Liza”.

“Liza” ishte në kërkim policor për disa vite me radhë, si i dyshuar për vepër penale të vrasjes së rëndë.

Policia njofton se arrestimi i tij është kryer, pas bashkëpunimit dhe koordinimit të njësiteve të ndryshme policore, përfshirë sektorin e narkotikëve të cilët kanë asistuar deri në arrestimin e tij.

“Të gjitha veprimet e mëtejme policore, do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë së Kosovës.

I dyshuari ka qenë në kërkim nga Interpoli nën akuzat për organizim të vrasjes së policit Triumf Riza.