Site icon Telegrafi

Policia tregon pse iu ndalua hyrja në Kosovë autobusit nga Beogradi

Policia e Kosovës ka sqaruar se pse ia ka ndaluar hyrjen në Kosovë një autobusi me udhëtarë serbë (kryesisht gra), që po qarkullonte nga Beogradi, me qëllim që të organizonin një protestë në Mitrovicën e veriut.

Në komunikatë thuhet se Policia e Kosovës, në pikë kalimin kufitar Jarinje, sot rreth orës 13:05, ia ka refuzuar hyrjen një autobusi të firmës “Kolasin Prevoz” me targa BG, i cili kishte ardhur si linje e lirë (jo e rregullt) nga Serbia në drejtim të Republikës së Kosovës.

“Në autobusin i cili kishte ardhur pa pasur linjën e regjistruar të qarkullimit, iu është refuzuar hyrja (28) njëzet e tetë personave, kryesisht të gjinisë femërore të cilat janë prezantuar si ‘Unioni i grave në Beograd’, të cilën e përfaqësonin gra me profesione të ndryshme”, thuhet në komunikatë, përcjell Telegrafi.

“Sipas informacioneve të siguruara dhe deklarimit të tyre, njëri nga qëllimet kryesore të kësaj vizite, e këtyre personave ka qenë mbajtja e një proteste në Mitrovicë Veri, andaj bazuar në procedurat e parapara ligjore, në pajtim me ligjin për kontroll dhe mbikëqyrje të kufirit, të njëjtëve iu është refuzuar hyrja në Republikën e Kosovës, për arsye se kanë paraqitur kërcënim për rendin dhe sigurinë e vendit”.

“Pas sqarimeve dhe informacioneve zyrtare që iu janë dhënë drejtuesit të autobusit dhe përfaqësuesve të këtij unioni, të njëjtit janë kthyer në drejtim të Serbisë”, shuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/​

Foto: Ilustrim

Exit mobile version