Policia e Kosovës për rajonin e Gjakovës, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për publikimin e fotografisë të personit të dyshuar në rast, me qëllim lokalizimin e tij, lëshon kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.
Sipas njoftimit, personi i dyshuar është Edmond (Engjell) Nokaj i lindur me 03.09.1992, i identifikuar me numër personal 1232708260, banues në fshatin Marmull-Gjakovë.
Tutje në njoftim thuhet se pranë Sektorit Rajonal të Hetimeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë-Gjakovë janë duke u zhvilluar hetime intensive ku gjatë veprimeve hetimore është identifikuar i dyshuari i lartcekur i cili me veprimet e kundërligjshme ka kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe me pas është larguar në drejtim të panjohur.
“Në lidhje me rastin nuk është arritur të sigurohet prezenca e personit në fjalë edhe përkundër angazhimeve të shumta hetimore dhe operative nga ana e Sektorit Rajonal për Hetime dhe njësiteve tjera në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë-Gjakovë”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar të paraqitur në fotografinë e bashkangjitur, të lajmërojnë Policinë e Kosovës apo stacioni më të afërt policor. /Telegrafi/