Site icon Telegrafi

Policia e Ferizajt: Gruaja e sulmuar është e paqartë në deklaratat e saj

Policia ka thënë se ka përfunduar intervistimin e gruas rome në stacionin policor në Ferizaj, pas sulmit që i është bërë nga disa qytetarë në sheshin e këtij qyteti.

Major Mehmetali Hadini, ka thënë për Telegrafin se gruaja është duke qëndruar në stacionin policor, dhe se janë duke pritur stafin e Qendrës Sociale, që të merren me rastin.

“Kemi marrë informatën nga një qytetar se në sheshin e Ferizajt është parë gruaja në fjalë. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe e kanë shoqëruar gruan për në stacionin policor. Gruaja nuk flet shqip por vetëm anglisht dhe asgjë nuk kuptohet se çfarë thotë ajo”, tha ai.

Lexo po ashtu Sulmohet sërish gruaja rome në Ferizaj, reagime të shumta (Foto/Video)

Hadini tha se janë duke vazhduar hetimet për t’i identifikuar personat që kanë sulmuar gruan, gjithashtu ai bëri të ditur se janë duke pritur edhe stafin e Qendrës Sociale që të trajtojnë gruan dhe të shohin se si është gjendja e saj.

Gruaja rome është sulmuar edhe para tri ditësh edhe në rrugët e Lipjanit, pasi në rrjetet sociale u tha se ishte një ‘rrëmbyese e fëmijëve’.

Megjithatë, Policia e Kosovës kishte sqaruar se gruaja në fjalë nuk paraqet rrezik për askënd dhe se nuk ka dosje kriminale. /Telegrafi/

 

Exit mobile version