Policia e Kosovës kërkon shtim të kujdesit nga drejtuesit e automjeteve, paralajmëron se masa rigoroze ligjore aplikohen ndaj të gjithë personave që shkelin ligjin në trafik.
Referuar aksidenteve fatale të raportuara deri tani, përfshirë aksidentin e djeshëm me datë 26.12.2021, ndermjet një veture dhe një kamioni, në rajonin e Pejës, ku humbën jetën dy persona dhe aksidentin e shkaktuar sot më 27.12.2021 në rajonin e Ferizajt, ku dyshohet se për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë dhe kushteve në rrugë vozitësi e humb kontrollin mbi automjet dhe godet një shtyllë elektrike të betonit, ku jetën ka humbur një pasagjere, Policia e Kosovës kërkon kujdes dhe vigjilencë të shtuar në trafik.
Reshjet e shiut krijojnë vështirësi në trafikun rrugor dhe rrugët potencialisht bëhen më të vështira për ngasje të automjeteve, prandaj Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që drejtimin e automjetit ta përshtatin me kushtet në rrugë, të respektojnë shenjat e trafikut rrugor si dhe të jenë shumë vigjilent.
“Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, veçanerisht drejtuesve është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet në përgjithësi, e në veçanti këto me humbje të jetëve njerëzore”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.
“Mos drejtoni automjetin kur jeni të lodhur apo pa gjumë dhe mos të vozitni nën ndikimin e alkoolit. Përdorimi i telefonave mobil gjatë vozitjes vlerësohet të jetë mjaft i rrezikshëm dhe ndalohet rreptësishtë gjatë drejtimit të automjetit”, vijon tutje apeli i Policisë së Kosovë.
Policia e Kosovës njofton se po të ndermerr dhe do të ndermerr masa rigoroze ligjore ndaj të gjithë pjesamrrësve në rrugë që shkelin ligjin e trafikut dhe zero tolerancë do të aplikohet ndaj tyre, me të vetmin qëllim që të kemi sa më pak humbje të jetëve njerëzore./Telegrafi/