Një përplasje mes pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe banorëve të fshatit Shipashnicë e Poshtme të Kamenicës, ka ndodhur sot si pasojë e kundërshtimit të banorëve për mbylljen e shkollës në këtë fshat.
Lidhur me këtë rast, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka thënë për Telegrafin se situata është e tensionuar.
“Ju njoftojmë se me 23 maj 2021 te shkolla fillore në fshatin Shipashnicë e Poshtme komuna Kamenicë, banorët e fshatit e kanë bllokuar derën e hyrjes së shkollës me qëllim për mos t’i lenë zyrtarët komunal që të vendosin brenda kësaj shkolle inventarin për fëmijët parashkollorë.
Në vendin e ngjarjes janë tri patrolla policore të PK-së , mirëpo situata paraqitet e tensionuar. Aty janë mbledhur rreth 50 banor të fshatit në shenjë pakënaqësie ku me ketë rast janë sulmuar zyrtarët komunal ku është përdorur edhe sprej nga ana e zyrtarëve policorë”, ka thënë Hashani.
Hashani ka shtuar se për detaje të tjera do të njoftojnë me kohë.
Ndërkaq lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe vetë kryetari i kësaj komune Qëndron Kastrati.
Kastrati ka thënë se është vërtetë për keqardhje deri në ç’masë është duke u manipuluar komuniteti nga disa të badihavaxhinj.
Po ashtu për këtë situatë ka reaguar edhe kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili ka fajësuar Qeverinë Kurti. /Telegrafi/