Policia britanike thotë se të paktën 1700 kriminelë nga Shqipëria po ecin të lirë në Britaninë e Madhe.
“Bosët e drogës, kontrabandistët e njerëzve, mashtruesit dhe trafikantët e seksit besohet të jenë në mesin e individëve aktualisht të arratisur”, raporton Daily Mail.
Oficerët e Policisë Metropolitane dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit kanë kërkuar të dhëna për secilin prej të dyshuarve nga autoritetet në Shqipëri në një përpjekje për t’i vënë ata para drejtësisë. Besohet se të gjithë të dyshuarit mbërritën ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar me gomone dhe kamionë.
Shifra u bë publike ndërsa Sekretari i Brendshëm James Cleverly u takua me ministrin e Brendshëm shqiptar Taulant Balla javën e kaluar për të diskutuar mbi trajtimin e imigracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar, shkruan më tej gazeta britanike.
“Policia e Mbretërisë së Bashkuar kërkoi të dhëna për 1,700 emigrantë shqiptarë të dyshuar si kriminelë, të cilët policia shqiptare i furnizoi shumë shpejt. Policia shqiptare ka kërkuar të dhëna për të gjithë shtetasit që janë dënuar për krime në Mbretërinë e Bashkuar, në mënyrë që ata të mund të fillojnë konfiskimin e fitimeve të paligjshme si prona, para, bizhuteri dhe automjete në Shqipëri.”, thotë një burim i Daily Mail.
Në fillim të këtij viti, mbreti i drogës, siç e quajnë mediat britanike, Denis Xhelili, 38 vjeç, një emigrant shqiptar, u burgos me dhjetë vjet pasi dyshohet për trafik kokaine dhe heroine në Britaninë e Madhe.
Zyra e Brendshme tha se Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria ishin të prirura të synonin ‘financat e paligjshme, korrupsionin, narkotikët dhe krimin e organizuar të imigracionit’./A2 CNN