Policia e Kosovës mëngjesin e sotëm ka bllokuar sheshet e kryeqytetit.
Në sheshet “Skënderbeu”, “Nënë Tereza” dhe “Zahir Pajaziti”, policia ka vendosur shirita duke i pamundësuar qytetarëve që të ecin në ato pjesë.
Prezent në këto sheshe janë edhe pjesëtarët e policisë, të cilët po lejojnë qytetarët të kalojnë vetëm përmes rrugëve lidhëse.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka thënë për Telegrafin se referuar vendimeve dhe rekomandimeve të institucioneve shtetërore ndaj pandemisë COVID-19, Policia e Kosovës ka vënë shirita sigurues në sheshe, me qëllim të zbatimit të vendimeve mbi ndalimin e grumbullimit dhe shfrytëzimit të shesheve për shëtitje, por jo edhe për raste pune.
“Kjo masë ka për qëllim parandalimin e përhapjes së virusit përmes grumbullimit të njerëzve. Policia e Kosovës vazhdon të ftoj qytetarët për respektim të vendimeve dhe njëherit i falënderon për bashkëpunim dhe mirëkuptim”, ka thënë Kelani. /Telegrafi/