Telegrafi

Policia arreston të dyshuarin për vrasje pas një konflikti familjar në veri të Mitrovicës

Nga rasti tragjik i cili ka ndodhur sot në orët e mëngjesit, dy persona (babë e bir) kanë mbetur të vdekur si pasojë e një vrasje brenda një familje në veri të Mitrovicës, ndërsa një person tjetër (vëllai) është arrestuar.

Lajmin për Telegrafin e konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Besim Hoti.

Ai tha se gjatë orëve të hershme të mëngjesit ka ndodhur një vrasje në një familje në veri të Mitrovicës, me ç’rast është arrestuar një person si i dyshuar për kryerjen e këtij krimi.

Lexo po ashtu Vdesin babë e bir gjatë një përleshjeje në një familje në veri të Mitrovicës

“Po sot ka ndodhur një vrasje në një familje në veri. Kanë mbetur të vdekur babë e bir, ndërsa vëllai është arrestuar sot nga policia. Ngjarja ka ndodhur sot diku në orët e hershme të mëngjesit”, ka thënë Hoti.

Ndryshe, burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se pas një mosmarrëveshjeje mes vete në  familje ku janë përfshirë disa anëtarë të saj, djali ka sulmuar me thikë babain me ç’rast e ka plagosur rëndë, ndërsa vetë ka mbetur i vdekur.

Në këtë incident është përfshirë edhe djali tjetër i kësaj familje, i cili dyshohet se duke i ndihmuar babait, ka vrarë vëllain e tij.

Burimet më tej kanë shtuar se babai i plagosur fillimisht është dërguar në spital derisa ishte në gjendje kritike për jetën, ku më pas ka ndërruar jetë.

“… bëhet fjalë për vëllezërit binjakë U. B. dhe M. B, ndërsa babai i tyre që mbeti fillimisht i plagosur është avokati M.B”. /Telegrafi/