Site icon Telegrafi

Policia arreston në shtetas jordanez në Prizren, dyshohet për kontrabandë më emigrantë

Policia e Kosovës ka arrestuar personin e dytë sot, të dyshuar për përfshirje në kontrabandë me emigrantë.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga Policia e Kosovës.

Arrestimi është bërë në Prizren, ndërkaq i arrestuari është shtetas jordanez, teksa rasti ishte raportuar edhe më herët gjatë ditës nga PK-ja.

“Sot, më herët (në ora 14:29), është lëshuar Komunikata Nr.128/2021, bëhet fjalë për një rast ‘kontrabandë me emigrant’. Hetuesit policorë kanë vazhduar hetimin e rastit dhe në vazhdën e hetimeve kanë arrestuar edhe një person të dytë: M.H., viti i lindjes 1985, shtetas jordanez. I njëjti me aktvendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në komunikatë

Po ashtu, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Prizren, rreth orës 15:30, janë kontrolluar dy dhoma të një hoteli në Prishtinë, dhoma në të cilat kanë qëndruar dy të dyshuarit e përfshirë në rast.

Lexo po ashtu Policia në Vërmicë arreston një të dyshuar për përfshirje në ‘kontrabandë me emigrantë’

Sipas komunikatës, “Hetuesit policorë e kanë mbështetur kërkesën për kontrollim në disa dyshime të arsyeshme”.

“Hetuesit policorë, bazuar në provat e gjetura në dhomën e të dyshuarit të arrestuar më herët, kanë arritur të zbardhin dyshimet se i dyshuari ‘’A.J., shtetas kosovar’’, i cili në fillim kishte paraqitur dokumente të Republikës së Kosovës, në fakt ato dokumente dyshohet se i kishte falsifikuar. Ky i dyshuar është shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe bëhet fjalë për E.B., mashkull, viti i lindjes 1980, i cili me aktvendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet tutje në komunikatë.

Ndërkaq, “Gjatë realizimit të kontrollit në dhomat e hotelit ku kanë qëndruar dy të dyshuarit, hetuesit policorë kanë sekuestruar: një letërnjoftim dhe një patentë shoferi që dyshohet të jenë të falsifikuara, po ashtu janë sekuestruar edhe 1510 euro, 300 franga zviceranë, 20 US dollarë si dhe një veturë me të cilën është tentuar të kryhej kontrabanda me emigrantë”. /Telegrafi/

Exit mobile version