Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një 33 vjeçar në Fushë Kosovë, i cili kishte kryer një grabitje sot në ora 15:00.
Siç njofton Policia, 33 vjeçari nën kërcënimin e armës ia kishte marrë një personi një shumë parash dhe një telefon, transmeton Telegrafi.
“Prishtinë, 15 janar 2022-Sot, rreth orës 15:00, është raportuar për një grabitje e cila ka ndodhur në rrugën “Fehmi Lladrovci”, në Fushë Kosovë, ku ankuesit (mashkull), nën kërcënimin e armës, i janë grabitë një shumë parash dhe një telefon. Ka qenë reagimi i shpejtë, i njësiteve të Fushë Kosovës dhe Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, që kanë mundësuar identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, të cilit i janë gjetë dhe sekuestruar: një telefon dhe një shumë e parave”, thuhet në njoftim.
Policia bën të ditur se personi i dyshuar është shtetas i Republikës së Kosovës, pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar më mbajtje, ndërkohë që hetuesit e Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, po kryejnë procedurat e nevojshme policore. /Telegrafi/