Telegrafi

Policia arreston 23-vjeçarin në Mitrovicë, i dyshuar për tri vepra penale

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas një hetimi të mirëfilltë hetuesit policorë në kuadër të Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë një person të dyshuar për përfshirje në tri raste të veprave të ndryshme penale.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se arrestimi i të dyshuarit A. V., 23 vjeç shtetas i Republikës së Kosovës, është bërë mbi dyshime të arsyeshme dhe provave të siguruara për përfshirje në tri vepra penale ‘vjedhje e rëndë’ që ishin raportuar në muajin e fundit brenda zonës së përgjegjësisë në Mitrovicë, transmeton Telegrafi.

“Nga hetimet e deritanishme, bëhet e ditur se veprat penale i dyshuari i kishte kryer në tri lokacione të ndryshme, përfshirë objekte private, çerdhe fëmijësh dhe në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Mitrovicë, ku cak i këtyre vjedhjeve ishin kompjuterë, targa të regjistrimit si dhe pajisje tjera”, thuhet në njoftim.

Policia bën të ditur se pas procedurave të nevojshme intervistuese, nga ana e prokurorit të rastit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë./Telegrafi/