Policia e Kosovës ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë një person të dyshuar, i cili dyshohet për kryerjen e tri veprave penale ‘vjedhje e rëndë’, raste këto që ishin raportuar muaj më parë në zonën e përgjegjësisë së stacionit policor në Skenderaj, ku cak i këtyre vjedhjeve ishte një veturë, pjesë të veturave dhe një vjedhje në një objekt të Qendrës së Mjekësisë Familjare.
“Hetimet policore nën autorizimin e prokurorit kishin nisur muaj më parë drejt zbardhjes së veprave penale, ku rrjedha hetimore e hetuesve policorë në kuadër të stacionit në Skenderaj, ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit A. D., 20 vjeçar, i përkatësisë etnike shqiptar, banor i komunës se Drenasit , shtetas i Republikës së Kosovës.
Po ashtu hetuesit policorë kanë gjetur veturën e vjedhur ku pas verifikimit të provave dhe procedurave vetura e vjedhur i është kthyer pronarit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas procedurave intervistuese nga ana e prokurorit të çështjes i dyshuari është liruar për procedurë të rregullt. /Telegrafi/