Site icon Telegrafi

Policia, apel PD-së: Ndal luftës politike ndaj nesh!

Policia e Shtetit i ka kërkuar Partisë Demokratike që të ndalë “luftën e përditshme politike kundër punës dhe rezultateve të saj”.

“Në respekt të opinionit publik, por edhe punës së pakursyer të trupës policore, rikujtojmë se politika nuk bëhet duke sulmuar policinë, por duke mbështetur përpjekjet e saj kundër krimit dhe paligjshmërisë. Është shqetësuese përsëritja e përditshme e sulmeve dhe baltës kundër Policisë, në një kohë që Policia është përditë në betejë me krimin”, lexohet në komunikatën e Policisë së Shtetit.

“Kur Policia është kundër krimit, PD-ja është kundër Policisë. Edhe më shqetësues bëhet ky fakt, teksa rezultatet kundër kultivimit të drogës rriten. Kjo luftë që nisi në pranverën e viti 2014 në Lazarat e që vazhdon përditë edhe sot, është një histori suksesi që Policia e Shtetit po e shënon çdo ditë. Policia e Shtetit fton PD-në të denoncojë në Prokurori çdo informacion që zotëron për kultivimin e narkotikëve si dhe për çdo person të implikuar. Kjo ndihmon shumë më tepër sesa balta e hedhur përditë mbi Policinë e Shtetit”,thuhet më tej në komunikatë./TCH/

Exit mobile version