Site icon Telegrafi

Policia amerikane arreston një 28-vjeçar, kishte eksploziv të mjaftueshëm për të rrafshuar një lagje të tërë

Një 28-vjeçar u arrestua dhe u akuzua pasi autoritetet amerikane zbuluan “pajisje shpërthyese të improvizuara në një laborator të improvizuar” në shtëpinë e tij në Filadelfia.

Sipas një njoftimi për shtyp nga Zyra e Prokurorit të Qarkut të Filadelfisë, anëtarët e departamenteve lokale të zjarrit dhe policisë iu përgjigjën një zjarri në një shtëpi në lagjen Mayfair të qytetit të premten mbrëma.

Nga garazhi dhe brenda shtëpisë po dilte tym. Banorët në zonë u urdhëruan të evakuoheshin, transmeton Telegrafi.

I riu, i identifikuar si Evgenii Sadrislamov, dhe nëna e tij u shoqëruan jashtë shtëpisë ndërsa autoritetet kryen një kontroll.

Në vendngjarje mbërritën Siguria Kombëtare dhe ATF për të ndihmuar me hetimin. Ata zbuluan rreth 23 kilogramë eksploziv.

“Me marrjen e një urdhri kontrolli, hetuesit gjetën disa mjete shpërthyese të improvizuara si dhe pluhura shpërthyese nga një laborator për prodhimin e bombave që ndodhej në bodrum dhe garazh”, thuhet në njoftimin për shtyp, duke shtuar: “Hetuesit besojnë se nëse ky material do të ishte ndezur, ai do të kishte rrafshuar të gjithë bllokun e shtëpive”.

Sadrislamov përballet me disa akuza, duke përfshirë armë të shkatërrimit në masë, zjarrvënie, posedim të një instrumenti krimi dhe shkaktim të katastrofës.

Fox 29 raportoi se i dyshuari ka një histori kriminale, duke vënë në dukje se ai kishte fishekzjarre të kategorisë komerciale në rezidencë në vitin 2020.

“Hetuesit dhe partnerët tanë në skuadrën e deminimit të bombave të ATF-së dhe Sigurisë Kombëtare të gjithë bien dakord se ka pasur një përshkallëzim të qartë në sofistikimin dhe shkallën e operacionit në të cilin ky i pandehur kishte poseduar dhe gjatë gjithë viteve”, tha ndihmësprokurorja e qarkut Angela Brennan në një konferencë për shtyp e postuar nga media. /Telegrafi/

Exit mobile version