Telegrafi

Polici i plagosur nga shpërthimi në Zhur të Prizrenit, do të dërgohet për shërim jashtë vendit

Artur Mrasori, pjesëtar i Policisë së Kosovës i cili mbeti i plagosur të martën mbrëma në një aksion antidrogë në Zhur të Prizrenit, do të dërgohet për shërim jashtë vendit.

Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin, drejtori i Klinikës Intensive të QKUK-së, Shaqir Uka.

“Konselciumi i mjekëve të kirurgjisë së syrit kanë paraparë që zyrtari i policisë i plagosur ka nevojë edhe për një intervenim kirurgjik të syrit dhe ajo duhet të bëhet në ndonjë qendër më të avancuar diku jashtë vendit”, ka thënë Uka.

Uka ka shtuar se ende nuk dihet se në cilin shtet do të dërgohet për shërim pjesëtari i policisë.

“Ende nuk është konfirmuar vendi se ku do të dërgohet pacienti në fjalë”, u shpreh ai.

Artur Mrasori u lëndua rëndë mbrëmjen e së martës gjatë një aksioni të policisë në fshatin Zhur të Prizrenit.

Në këtë aksion, nga eksplozivi mbeti i vdekur pjesëtari i Policisë së Kosovës, Sami Thaqi, ndërkaq përveç Arturit, lëndime tjera trupore mori dhe pjesëtari i policisë, Jetmir Hasanaj. /Telegrafi/