Site icon Telegrafi

​Polici i lënduar në Zhur, pas shërimit kthehet në Kosovë

Kthehet në Kosovë zyrtari policor i Kosovës, Artur Mrasori, i cili për shkak të lëndimeve serioze të marra gjatë një operacioni policorë në Zhur të Prizrenit, ishte dërguar në trajnim mjekësor në Turqi.

Për ta pritur policin Mrasori, kanë dal drejtori i përgjithshëm, menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës, si dhe familjar të tij.

Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj ka thënë se pas incidentit që ka ndodhur në Zhur të Prizrenit, polici Mramori ishte trajtuar në QKUK, mirëpo pas konstatimit të mjekëve që ai nuk mund të trajtohet në vend, kanë vendosur ta dërgojnë për ta dërguar në Turqi.

“Në janar të këtij viti kemi pasur një rast tragjik, një rast të tmerrshëm në Prizren, me ç’rast ka humbur jetën një koleg i yni, polici Sami Thaqi, dhe po ashtu kemi pasur të lënduar disa policë të tjerë e ndër ta, me lëndime të rënda ka qenë kolegu Artur Mrasori, i cili fillimisht është trajtuar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, dhe pastaj mjekët kanë konstatuar që ai nuk mund të trajtohet në vend, jemi detyruar ta dërgojmë për t’u trajtuar në një spital në Turqi”, ka thënë Qalaj për KP.

Qalaj ka falënderuar ministrinë e drejtësisë, Qeverinë e Kosovës, policët e Kosovës, mediat dhe gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët e kanë mbështetur moralisht dhe financiarisht shërimin e policit Artur Mranori. Ai ka thënë se trajtimi i është bërë mjaftë mirë, pasi që gjendja e tij është mjaft e mirë edhe pse ka pasur lëndime shumë të rënda.

Qalaj gjithashtu ka deklaruar se do të vazhdojë përcjellja e trajtimit të policit nëse prapë ka nevojë.

Ganimet Mrasori, babai i policit Artur Mrasori, ka thënë se ishte dhimbje shumë e madhe kur e kanë dërguar djalin e tij për shërim në Stamboll.

“Ky është gëzimi më i madh në jetën time për arsye se para 7 muajve, kur e kanë dërguar Arturin për Stamboll, ka qenë dhimbja më e madhe. Tani është një gëzim shumë i madh dhe kemi përjetuar lloj lloj raste, por falënderoj Zotin që e bëri të pamundshme…. por gjithashtu do t’i falënderoj të gjitha institucionet shtetërore tonat, që prej fillimi e kanë bërë të pamundshme, gjithçka për përkujdesen e tij”, ka thënë Mrasori.

Mrasori ka thënë se fal kujdesit të mjekëve, gjendja e djalit të tij është përmirësuar dukshëm.

“Po, gjatë kujdesit atje qe ka qenë, ka qenë në kujdes jashtëzakonisht të përkushtuar. Mjekët kanë bërë të pamundshmen dhe fal mjekëve gjendja e tij është përmirësuar dukshëm, çdo ditë edhe më mirë, me shikueshmëri, gjendja fizike, e të gjitha”, ka thënë Mrasori.

Përndryshe, në fund të muajit janar të këtij viti, gjatë një operacioni bastisje në fshatin Zhur të Prizrenit, pas një shpërthimi të një mjeti eksplodues, ka vdekur një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe dy të tjerë janë plagosur.

Incidenti kishte ndodhur kur pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të Njësisë Anti-Drogë, kishin shkuar në një shtëpi për bastisje dhe teksa ata ndodheshin në katin e dytë të shtëpisë, ka shpërthyer një mjet eksplodues.

Në këtë incident ka mbetur i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës e dy të tjerë kanë pësuar plagë trupore. Po ashtu, lëndime trupore ka pësuar edhe një fëmijë. Polici i vrarë ishte Sami Thaqi, i cili ka qenë pjesë e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Exit mobile version