Telegrafi

Polici anglez shkelmon vajzën 15-vjeçare – nuk pushohet nga puna, mjaftoi vetëm një vërejtje me shkrim

Një oficer policie nga Anglia që është filmuar duke shkelmuar dhe hedhur në tokë një vajzë 15-vjeçare nuk është shkarkuar.

Një oficer i paidentifikuar nga Stacioni i Policisë Norfolk u filmua duke shkelmuar një vajzë adoleshente në Norwich më 26 shtator. Policia më vonë konfirmoi se i kishte dhënë një paralajmërim me shkrim për sjellje të pahijshme.

Në videon e ngjarjes, e cila ndodhi para restorantit indian City of Spice, shihen dy oficerë policie që tentojnë të arrestojnë një grua që po i reziston arrestimit. Një vajzë (15) e cila ishte me atë grua u përpoq t’i pengonte ta bënin këtë. Së shpejti në vendngjarje hyn një polic i tretë, i cili godet me shkelma vajzën 15-vjeçare dhe e hedh në tokë.

Dexter Hanna (41), i cili filmoi incidentin, tha se polici nuk i bëri asnjë pyetje vajzës përpara se ta shkelmonte. Në video, ajo dëgjohet teksa i thotë policisë se në këtë mënyrë mund t’i thyejnë qafën.

Por ai shtoi se vajzat “u përpoqën t’i bënin përshtypje” kur e panë se ai po filmonte atë që po ndodhte.

“Fillimisht erdhi një polic që u përpoq të frenonte vajzën, ai u përpoq të tregohej i sjellshëm. Dhe më pas kur fillova filmimin, ajo filloi të bënte shfaqjen. Ajo filloi të ngacmonte dhe godiste policin”, tha Hanna.

“Megjithatë, kur erdhi polici i tretë, ai nuk bëri asnjë pyetje, vetëm e goditi fort vajzën tjetër”, shtoi ai. /Telegrafi/