Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka propozuar që të bëhet pagesa e orëve shtesë për Policinë e Kosovës.
Këtë propozim Gashi e paraqiti në mbledhjen e Qeverisë ku bëri të ditur se deri më tani janë munduar që kompensimin e orëve ta bëjnë me pushime, por për shkak të akumulimit të orëve të shumta dhe nevojës që ata të jenë në detyrë, një gjë e tillë është pamundësuar.
“Për përmbushjen e objektivave policore, Policia e Kosovës angazhon një numër të madh të policëve. Si rezultat zyrtarët policor kanë akumuluar një numër të madh të orëve. Për shkak të ngarkesës buxhetore Policia e Kosovës e ka të pamundur mbulimin shtesë dhe për këtë ka parë si zgjidhje kompensimkn, por nuk ka gjetur . Kanë akumuluar rreth dy mijë orë për zyrtarët policor. Nuk jemi në gjendje të kompensojmë me pushim këto orë. Jemi në fazën finale për kompensimin e këtyre orëve shtesë”, tha ai.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se pret që ministria e linjës të kryejë kalkulimet dhe në një nga mbledhjet e radhës të kryhet ky obligim.
“Ne mund të kompensojmë më shumë se 40 orë shtesë në javë”, u shpreh ai. /KP /Telegrafi/