Policët nga Colorado që akuzohen se ia thyen dorën gruas 73-vjeçare që vuan nga demenca, kamerat e sigurisë i kanë kapur ata në momentin kur qeshin dhe urojnë njëri-tjetrin derisa shikojnë arrestimin e saj, shkruan BBC.
Në videon që avokatët e Karen Garner kërkuan të publikohet në procesin gjyqësor, shihen policët duke lavdëruar njëri-tjetrin për arrestimin e gruas, të cilës ia thyen dorën – pasi që ajo u largua nga dyqani duke mos paguar faturën prej 14 dollarëve, transmeton Telegrafi.
Policët lavdëroheshin derisa gruaja qëndronte ende me pranga në duar dhe e ulur para tyre.
“Të gatshëm për një thyerje”, ka pyetur policia Austin Hoppe, derisa kolegu i tij shikonte videon e arrestimit. Hoppe madje qeshte dhe lavdërohej se si e ka përplasur për tokë gruan e moshuar.
Garner që është 152 centimetra e gjatë dhe peshon vetëm 36 kilogramë, për plot gjashtë orë nuk kishte pranuar ndihmë mjekësore. E vetme dhe konfuze e me dhimbje ka qëndruar në qelinë e burgut – me shpresën që dikush do ta informoj familjen e saj.
Arrestimi ndodhi kur Garner tentoi të largohet nga dyqani pa paguar disa artikuj ushqimor. E pavarësisht që në fund doli pa asnjërin prej këtyre artikujve, policia e ka kapur rrugës për në shtëpi.
Avokatët e saj kanë treguar edhe një video tjetër, ku dëgjohen policët duke pyetur nëse do të “arrestohet menjëherë” derisa gruaja e habitur flet se si po shkonte në shtëpi.
Aty Hoppe e kishte kapur për dore, e kishte përplasur për tokë dhe e i vuri prangat. Në video dëgjohet një kalimtar rasti duke pyetur policinë nëse duhet të jenë aq agresiv – ku ata menjëherë i reaguan duke kërkuar të largohet nga vendi i ngjarjes.
E policia ka njoftuar se nuk ishin në dijeni të këtij incidenti derisa familjarët e Garner u ankuan. Hoppe është suspenduar e dy kolegët e tij do të ballafaqohen me komisionin disiplinor. /Telegrafi/