Site icon Telegrafi

Polica jep detaje të reja rreth arrestimit të pesë të dyshuarve për transplantim të kundërligjshëm dhe trafikim të organeve

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja në lidhje me rastin e arrestimeve të të dyshuarve për kryerje të veprave penale në një klinikë private në Prishtinë.

Siç thuhet në raport, ky aksion policor është bërë në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore gjatë dy ditëve të fundit, ku rezultoi me kontrollim të një klinike private.

Policia e Kosovës bënë të ditur që janë pesë persona të cilët janë arrestuar nën dyshimet për kryerje të këtyre veprave penale:

“Transplantim i kundërligjshëm dhe trafikimi i organeve dhe qelizave njerëzore’’, “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor” dhe “Bashkëkryerje’’.

Hetimet rreth këtij rasti kanë filluar disa muaj më parë dhe janë zhvilluar në bashkëpunim dhe koordimin me Prokurorinë Themelore, Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë.

‘’Operacioni policor është mbështetur edhe nga institucionet tjera si: inspektorët shëndetësorë nga MSH, inspektorët farmaceutikë, zyrtarë nga administrata tatimore dhe njësitet tjera policore. Si prova materiale janë sekuestruar dosje mjekësore, libra të evidencave, 4 telefona mobilë dhe 500 euro para të gatshme. Me vendim të Inspektoratit Shëndetësor, për arsye të gjetjes së parregullsive, është mbyllur reparti ku janë kryer shërbimet e IVF në këtë klinikë. Katër të dyshuarve me urdhër të prokurorit ju është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt”, është thënë në raportin e policisë. /Telegrafi/

Exit mobile version