Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, apelon tek shoferët e të gjitha kategorive të automjeteve që të respektojnë rregullat e komunikacionit rrugor.
Duke marrë parasysh situatën e krijuar, për shkak të motit me reshje bore e ngrica në rrugë, Policia Rajonale e Ferizajt ka shtuar prezencën policore në të gjitha rrugët magjistrale, rajonale, urbane dhe rurale në të gjithë rajonin e Ferizajt, përfshirë komunat: Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani Elezit, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Në njoftim thuhet se patrullat e Policisë Rajonale janë të fokusuara, së pari në dhënien ndihmë shoferëve të automjeteve që kanë nevojë gjatë qarkullimit, këshillimin e shoferëve të automjeteve për të zbatuar ligjet dhe rregullat e komunikacionit rrugor, por edhe në ndëshkimin e atyre që nuk i zbatojnë ato rregulla.
Policia apelon tek drejtuesit apo shoferët e automjeteve që të kenë pajisjet dimërore në automjetet e tyre, të kenë vendosur gomat e dimrit dhe të jenë të kujdesshëm në komunikacionin rrugor, me theks të veçantë që shoferët: të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes së automjetit, në raport me kushtet e rrugës dhe të mbajnë distancën e duhur mes automjeteve. /Telegrafi/