Telegrafi

Polaku i vë vetes flakën para parlamentit në Varshavë, bërtiti se nuk ka drejtësi në këtë vend – policët arrijnë t’ia shpëtojnë jetën

Para parlamentit polak në Varshavë, në vendin ku zakonisht i përgjigjen deputetët pyetjeve të gazetarëve, një burrë 48-vjeç ka spërkatur veten me benzinë ku më pas i ka vënë vetes flakën derisa bërtiste “në këtë vend nuk ka drejtësi”.

Megjithatë intervenimi i shpejtë i policisë, bëri që ky burrë të shpëtohet dhe të dërgohet me urgjencë në spital për trajtim, transmeton Telegrafi.

Ky burrë i ishte afruar gazetarëve para hyrjes së parlamentit polak, kishte pyetur nëse ka gazetar hulumtues dhe kur mori përgjigjen, shkoi në afërsi të një shtatoreje dhe i vëri flakën vetes.

“48-vjeçarin e mbuluar nga zjarri e kishin vërejtur menjëherë policët që po patrullonin. Me ndihmën e një kalimtari kanë arritur ta fikin zjarrin, kurse menjëherë i kanë dhënë ndihmën e parë burrit që më pas u dërgua në spital me autoambulancë”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë lokale Robert Shumjata.

Në anën tjetër, mjekët kanë bërë të ditur se jeta e 48-vjeçarit nuk është në rrezik, e dëshmitarët e rastit janë të bindur se ishte reagimi i shpejtë i policëve që e shpëtoi nga më e keqja. /Telegrafi/