Paul Pogba nga sot mund të luajë sërish futboll pasi i ka skaduar pezullimi. Fituesi i Kupës së Botës 2018 fillimisht u ndalua të luante për katër vjet pasi u testua pozitiv për testosteron në gusht 2023, por dënimi u reduktua në 18 muaj nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në nëntor.
Ai ka postuar një video ku ka bërë të ditur rikthimin e tij në futboll.
Arsyeja pse Pogba është kaq i etur për t’u rikthyer në nivelin më të lartë është dëshira e tij për të luajtur për kombëtaren.
Meqenëse ai së shpejti do të mbushë 32 vjeç, Kupa e Botës 2026 mund të jetë shansi i tij i fundit për të luajtur në një turne të madh ndërkombëtar pasi humbi në Euro 2024.
Megjithatë, për shkak të konkurrencës së lartë për një vend në kombëtaren franceze, të luajë në një nga pesë ligat më të mira do të ishte shansi i tij më i mirë për të fituar një vend në ekip.
Ka pasur zëra se trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, do të ishte i gatshëm të rrezikonte me Pogban, por nuk ka asnjë informacion më konkret në lidhje me këtë.
Ka spekulime po ashtu për një lëvizje në Marseille për t’u ribashkuar me ish-shokun e skuadrës Adrien Rabiot, ose një lëvizje jashtë Evropës në Arabinë Saudite ose MLS, por asgjë nuk është materializuar ende.
Ai iu bashkua akademisë së Manchester United në vitin 2009 si 16-vjeçar nga Le Havre. Tre vjet më vonë, ai u transferua në Juventus pa kompensim.
Pas katër vitesh, në verën e vitit 2016, ai u rikthye te Man United për një tarifë prej 105 milionë eurosh, duke e bërë atë futbollistin më të shtrenjtë në histori në atë kohë.
Pas gjashtë vitesh, Pogba u kthye Juventus përsëri në vitin 2022 pa kompensim. Megjithatë, në qëndrimin e tij të dytë atje, ai luajti vetëm 12 ndeshje për shkak të lëndimeve dhe pezullimit të lartpërmendur për doping. /Telegrafi/