Site icon Telegrafi

Podujeva përfundoi projektin për ndërtimin e kolektorit kryesor të ujërave të zeza

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe drejtori i kompanisë austriake ÖSTAP, Christoph Gierlinger nënshkruan sot zyrtarisht projektin e përfunduar për ndërtimin e kolektorit kryesor për grumbullimin e ujërave të zeza në Komunën e Podujevës.

Sipas një njoftimi të Komunës së Podujevës, nënshkrimi i këtij projekti i mundëson Komunës së Podujevës të aplikojë për të ashtuquajturën kredi e butë (Soft-loan), që jepet nga banka austriake.

“Ky projekt është shumë i rëndësishëm për komunën tonë, tani kur rrjeti i kanalizimit është shtrirë pothuaj në të gjitha vendbanimet. Realizimi i këtij projekti do të jetë i rëndësisë së veçantë, meqë mundëson grumbullimin e ujërave të zeza nga tërë territori i komunës sonë dhe ruajtjen e ambientit”, ka thënë kryetari Veliu.

Veliu ka falënderuar kompaninë ÖSTAP dhe kompaninë vendore “Ndërtimi”, e cila në mënyrë profesionale dhe sipas standardeve të BE-së e hartoi projektin detaj.

Duke pasur parasysh se projekti është realizuar me kohë dhe në mënyrë profesionale, kryetari Veliu u shpreh i bindur se Komuna e Podujevës do të jetë përfituese e kredisë së butë.

Ndërsa, drejtori i kompanisë austriake ÖSTAP , Christoph Gierlinger, ka thënë se Komuna e Podujevës është e para që e ka përfunduar projektin.

“Në bazë të seriozitetit dhe përkushtimit të treguar në këtë projekt, jam i bindur se Komuna e Podujevës do të jetë përfituese e kredisë, që do t’i mundësojë ndërtimin e kolektorit kryesor të ujërave të zeza”, citohet të ketë thënë Gierlinger. /Telegrafi/

Exit mobile version