Telegrafi

Pochettino zbulon favoritët e Kupës së Botës dhe pranon se është i hapur për t’u bërë trajner i Anglisë

Ish-trajneri i Paris Saint-Germain dhe Tottenham Hotspur, Mauricio Pochettino, ka thënë se do të ishte i hapur për t’u bërë trajner i Anglisë në të ardhmen.

Në një intervistë dhënë për The Athletic, Pochettino renditi favoritët e tij për Kupën e Botës 2022, e cila fillon të dielën në Katar.

Ai emëroi Anglinë, së bashku me Argjentinën, Francën dhe Brazilin, dhe lavdëroi skuadrën e Gareth Southgate, përpara se të pranonte se do të ishte i hapur që një ditë të bëhej shefi i Tre Luanëve.

“Mentaliteti i tyre, ata janë shumë të guximshëm, janë shumë sulmues, shkojnë për të provokuar kundërshtarin dhe përpiqen të dominojnë”, ka thënë fillimisht Pochettino kur u pyet se pse e konsideron Anglinë ndër pretendentët për trofeun.

“Ata nuk kujdesen për skuadrën që është para tyre. Ata përpiqen të bëjnë punën e tyre. Më pëlqen mënyra se si i qasen lojës dhe kanë lojtarë shumë të mirë”.

Argjentinasi shtoi se një ditë mund të pushtojë rolin e Southgate si trajner i Anglisë.

“Sigurisht, marrëdhënia ime me Anglinë ka qenë gjithmonë shumë e mirë. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë me akademitë, duke u përpjekur të zhvillojmë lojtarë të rinj për ekipin kombëtar. Ndihem shumë rehat këtu. Ju kurrë nuk e dini se çfarë ndodh. Unë jam i hapur për gjithçka”, përfundoi argjentinasi.

Pochettino, i cili drejtoi Tottenhamin dhe Southamptonin më herët në karrierën e tij, ka qenë pa punë që nga shkarkimi i tij nga PSG në korrik 2022, pavarësisht se ishte i lidhur me klube si Chelsea dhe Aston Villa këtë sezon. /Telegrafi/