Klubi anglez, Manchester United është refuzuar përkohësisht nga dy trajnerët, Mauricio Pochettino i Paris Saint-Germain dhe Erik ten Hag i Ajaxit.
Djajtë e Kuq kanë shkarkuar Ole Gunnar Solskjaerin para disa ditësh shkaku i rezultateve të dobëta, ndërsa në vend të tij ka ardhur Micheal Carrick si trajner i përkohshëm.
Megjithatë, drejtuesit e klubit nga Old Trafford janë duke menduar dhe po shikojnë për një pasues të përhershëm të Solskjaerit.
Shumë emra trajnerësh janë lidhur me postin e lënë bosh nga norvegjezi, ndër ta Zinedine Zidane, Pochettino, Ten Hag, Laurent Blanc dhe Brendan Rodgers.
Por, drejtuesit dhe klubi anglez tashmë kanë marrë refuzimet e para nga Pochettino dhe Ten Hag, të cilët janë shprehur të fokusuar te puna e tyre në klubet PSG, përkatësisht Ajax.
“Unë po respektoj klubin tim dhe nuk do të them asgjë. Çfarë bën një klub tjetër, nuk më intereson mua. Nuk do të komentoj – e dua PSG-në, tifozët, qytetin. Është fantastike të jesh këtu”, ka thënë Pochettino.
“Interesi i Man United? Jam i zënë me Ajaxin. Askush nuk më kontaktoi, këtë mund ta konfirmoj. Dua të fitoj tituj këtu”, ka thënë Ten Hag. /Telegrafi/