Lionel Messi është bashkuar në verën e vitit të kaluar me Paris Saint Germain, por ai ende nuk e ka shfaqur më të mirën e tij tek kjo skuadër.
Në shpesh raste Messi është kritikuar për paraqitjen e tij, pasi nuk ka shfaqur atë Messin që tifozët janë mësuar ta shohin me fanellën e Barcelonës.
Kulmi i kritikave erdhi pas ndeshjes me Real Madridin në Ligën e Kampionëve, ku Leo Messi humbi penalltinë dhe kjo bëri që tifozët të shpërthejnë ndaj argjentinasit.
Por në përkrahje të bashkëkombësit të tij ka dalë trajneri i Paris Saint Germain, argjentinasi Mauricio Pochettino.
Trajneri argjentinas ka folur fjalë të mëdha për Messin, duke thënë se ai është vet futbolli. Tutje Pochettino tha se nëse doni t’i shpjegoni dikujt se çfarë është futbolli, thoni se është Leo Messi.
“Leo Messi është lojtari më i mirë në botë. Një lojtar si ai, me përvojën e tij dhe atë që përfaqëson, është vetë futbolli. Nëse doni t’i shpjegoni dikujt se çfarë është futbolli, thoni se është Leo Messi”, deklaroi Pochettino.
Pochettino tutje tha se një penallti e humbur nuk ndikon në asnjë mënyrë besimin që klubi dhe vet ai kanë në Messin.
“Mosrealizimi i një penalltie nuk ndikon në asnjë mënyrë besimin që kemi tek ai, është e pamundur. Dhe ata që mendojnë në këtë mënyrë nuk e kuptojnë këtë sport. Jam i kënaqur me paraqitjen e tij, ai luajti mirë”, u shpreh tekniku argjentinas.
34-vjeçari ka zhvilluar 21 ndeshje këtë edicion me PSG-në në të gjitha garat ku ka realizuar shtatë gola dhe ka asistuar në tetë të tjerë. /Telegrafi/