“Kokëfortë” dhe “Qmos” mbajnë titullin projektet e tyre të fundit.
Por duket se ‘kokëfortësia’ e tyre në artin e vërtetë ka bërë “çmos” që ata të vijnë në një bashkëpunim.
Fjala është për këngëtaren shumë të talentuar nga Shqipëria, Besa Kokëdhima dhe reperin e njohur kosovar Elinel.
Dyshja shumë shpejt do të sjellin një këngë të re së bashku, e cila mban titullin “Mos m’le me ra”.
Kjo këngë është punuar nga Kledi Bahiti ‘me prekje’ të vet artistes Besa, e cila gjithashtu i ka dhënë një dorë muzikës për këngën e saj të re.
“Mos m’le me ra”, e cila për nga titulli shpreh një lutje të zjarrtë për dashurinë, është ‘qëndisur’ me vargje nga artisti i madh Timo Flloko, tekstet e të cilit gjithmonë kanë prekur mrekullinë. Gjersa një pjesë të vargjeve e ka shkruar edhe Besa.
Pas pak ditësh do të fillojnë edhe xhirimet e klipit, nga ku Telegrafi do të kujdeset t’ju sjell imazhe ekskluzive nga punimet për këtë projekt, i cili pa mëdyshje mund të thuhet se do të jetë i veçantë, përderisa ka bashkuar edhe dy artistë shumë të talentuar nga Kosova dhe Shqipëria.
“Mos m’le me ra” pritet të finalizohet në fund të muajit prill. /Telegrafi/