Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar dy persona pasi dyshohen se dokumentet e veturës me të cilën po udhëtonin janë të falsifikuara dhe i përkasin një veture tjetër.
Rasti ka ndodhur të hënën në ora 16:30 në Gjilan.
“Verifikimi është kryer në bashkëpunim me autoritetet e shtetit të huaj pasi vetura në fjalë kishte traga të një shteti të huaj”, thuhet në raport.
Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një veturë, dokumentet e veturës dhe dy telefona mobil.
Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/