Telegrafi

“Po të vjen fundi Albin”, Haradinaj me akuza të rënda për Kurtin

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas publikimit të një bisede të shefes së Grupit Parlamentar të LVV, Mimoza Kusari Lila me Milan Radoiçiqin – ish nënkryetarin e Listës Serbe  dhe udhëheqësin e grupit serb që kreu sulmin terrorist në Banjskë.

Haradinaj e ka akuzuar Kurtin se ka kërkuar partneritet me Milan Radoiçiqin edhe pse e ka ditur se ai ndiqej nga organet e drejtësisë dhe ishte në Listën e Zezë të SHBA-së.

“Dil e trego pse kërkove partneritet me Radojqiqin kur e ke ditur se ai ka qenë i ndjekur nga organet e rendit dhe i arratisur nga Kosova që prej nëntorit 2018, e në Listën e Zezë të Amerikës prej dhjetorit 2021?”, ka shkruar Haradinaj, në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.

“Po ashtu, ende nuk je përgjigjur në një pyetje shumë të vjetër. Pse vite pas lirimit tënd nga burgu, me 17 janar 2004, në Dollc të Klinës, u gjete i mbuluar me batanije, në makinë me agjentë serb Gollub e Boban Donqiq?”, ka pyetur Haradinaj.

Lexo po ashtu Kurti për përgjimet e Kusari-Lilës: Situatë e montuar, qytetarët e dinë kush ka bashkëpunuar me Radoiçiqin

Ai duke kërkuar përgjigje nga Kurti, ka thënë se “Nuk mund të gënjesh më e as të fshihesh pas patriotizmit që asnjëherë nuk e ke pasur. Po të vjen fundi Albin!”.

Kurti ka folur sot për përgjimet e reja që janë publikuar ku dëgjohet shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila duke biseduar me kriminelin serb, Milan Radoiçiq.

Kurti ka thënë se për këtë rast zëdhënësi i LVV-së, ka dhënë përgjigjen e saktë, derisa ka shtuar se qytetarët e dinë se pse Radoiçiqi tash po ik e dikur ishte në kryeministri.

“Unë vetë nuk i kam dëgjuar, por qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar me Radoiçiqin edhe e kanë shumë të qartë pse Radoiçiq ka ikur tash dhe dikur ishte në Kryeministri. Për këtë zëdhënësi i subjektit ku unë jam kryetar, pra i LVV-së, Arlind Manxhuka e ka dhënë përgjigjen e saktë”, tha Kurti.

Kryeministri para gazetarëve shtoi se “ajo është një situatë e montuar dhe Radoiçiq këtë muaj i bënë 9 muaj që ndodhet i lirë në Serbi dhe tryesnia do të duhej të ishte që të ketë aktakuzë ndaj tij”. /Telegrafi/