Nicolo Fagioli është përfshirë në vendosjen e basteve sportive të paligjshme, ndërsa Paul Pogba ka dal pozitiv në doping, gjë që ka lëkundur jo pak Juventusin.
Ish-drejtuesi i klubit, Luciano Moggi foli për situatën e vështirë të “Zonjës së Vjetër” pasi humbi Pogban (doping), tani po përballet me Fagiolin.
“Giuntoli nuk ka nevojë për këshilla, jam i sigurt se do të marrë patjetër një mesfushor në janar. Nuk e di se si do ta menaxhoja situatën e Pogba dhe Fagioli, por me mua drejtues nuk do të ndodhnin kurrë këto gjëra”.
“Sigurisht që askush nuk është i pagabueshëm, as unë. Situatat varen edhe nga ambienti që të rrethon, por unë do t’u kisha kushtuar shumë vëmendje këtyre rasteve”, deklaroi Moggi.
Ai u ndal në situatën e basteve dhe tha se nuk i kupton futbollistët që luajnë baste për skuadrën ku luan, sikurse rasti i Sandro Tonalit.
“Si ka mundësi që flitet për lojtarët e Juves, pastaj për të tjerët?! Kanë dalë edhe emra të tjerë, por diskutohet vetëm për Fagiolin. Janë djem të rinj, e kanë lëshuar disi veten, por nuk mund të vendosësh baste në kampionatin ku luan. Aq më tepër të skuadrës tënde…”.
“Ke mundësi pafund, mund të vësh bast ndonjë ndeshje që luhet në anën tjetër të botës, por jo ekipin ku aktivizohesh”, ka thënë Moggi. /Telegrafi/