Site icon Telegrafi

Po shpenzohen një milion dollarë për ndërtimin e shtëpisë së Big Brother Albania

Teksa data e fillimit të edicionit të ri të “Big Brother Albania” po afron, të gjithë po flasin për detajet dhe surprizat që do të ketë ky edicion, që prej autorëve është premtuar se do të jetë krejt ndryshe nga çdo herë tjetër.

Për suplementin “Bluetooth”, organizatorët kanë treguar edhe disa detaje lidhur me shtëpinë ku do të qëndrojnë banorët dhe disa surpriza që do të bëhen pjesë që ditën e parë të fillimit të spektaklit.

Sipas “Bluetooth”, ndërtimi i shtëpisë më të famshme në Shqipëri kap shifrën e mbi 1 milion dollarëve. Kjo shtëpi i është përshtatur lojës që do të zhvillohet sipas një strukture, e organizuar në mënyrë krejtësisht të veçantë, duke mos pasur asnjë gjë të përbashkët me formatet e kaluara. Hollësitë dhe strategjitë e shtëpisë “fizike” mbeten për t’u zbuluar jo vetëm për publikun, por edhe për konkurrentët në momentin e fillimit të lojës.

Banorët e shtëpisë së “Big Brother” këtë vit, përveç strategjive personale, lojërave dhe situatave, do të kenë edhe një sfidë të re. Këtë herë do të duhet të marrin përgjegjësitë për t’u kujdesur për dy kafshë shumë të egra. Në fakt, ato janë zbutur prej një kohe të gjatë nga një cirk në Bullgari. Ka pasur shumë debate për llojin e kafshëve që duhet të jenë brenda shtëpisë dhe do ta zbulojmë në puntatën e parë se çfarë do të jenë.

Autorët kanë vendosur rregulla të forta për banorët në mënyrë që përkujdesja ndaj tyre të jetë e rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve njerëzore brenda shtëpisë dhe fatin e banorëve për jetëgjatësinë e tyre në shtëpi. Banorët do të kenë mundësi të shijojnë receta dhe gatime nga më të sofistikuarat në botë në sajë të një surprize të madhe. Një nga kuzhinierët më të famshëm të “Masterchef Australia” do të jetë shefi personal i konkurrentëve të “Big Brother”.

Ai do të gatuajë receta fantastike që të befasojnë jo vetëm banorët që do t’i shijojnë ato, por edhe publikun që do t’i ndjekë nga shtëpia. Duket se gjithçka është gati për të pritur konkurrentët e rinj, që ashtu si çdo vit do të fitojnë vëmendjen dhe zemrat e të gjithëve.

Exit mobile version