Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se bazuar në procedurat e parapara ligjore për qarkullim dhe kalim të kufirit, i ka lejuar të gjitha automjetet dhe autobusët transportues të cilët kanë plotësuar kushtet/kriteret dhe dokumentacionet e nevojshme, të kalojnë nga Kosova drejt Serbisë, pa asnjë pengesë.
Mirëpo, siç është thënë në një përgjigje për Telegrafin nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, në disa raste, disa autobusëve transportues të cilët për shkak të parregullsive, mosplotësimit të kushteve/kritereve dhe dokumentacioneve të nevojshme, iu është refuzuar kalimi/dalja.
“Vlen të potencohet se të gjithë udhëtarët/qytetarët të cilët kanë qenë në autobusët të cilëve iu është refuzuar dalja për arsyet zyrtare të potencuara, janë njoftuar se të njëjtit mund të vazhdojnë/kalojnë kufirin pa probleme”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Lidhur me këtë kanë raportuar edhe mediat serbe, sipas të cilave, tetë autobusë me serbë nga tri komuna të Kosovës, të cilët ishin nisur për të shkuar në tubimin “Ardhmëria e Serbisë” në Beograd, janë kthyer në kufirin në Konçul.
Sipas agjencisë së lajmeve b92, përcjell Telegrafi, kryetari Komunës së Vitisë, Srdjan Nikoliq ka thënë se refuzimi i autobusëve ishte i justifikuar nga fakti se drejtuesit nuk kishin dokumentet adekuate për autobusët në pronësi të shqiptarëve.
Ndryshe, mbështetësit e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të mblidhen sot në Beograd.
Tubimi vjen në kohën kur Vuçiq po përballet me protesta që synojnë rrëzimin e qeverisë së tij. /Telegrafi/