Ministri i Punëve të Jashtme të Federatës të Rusisë, Sergey Lavrov dhe Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Antony Blinken zhvilluan sot një raund të ri bisedimesh për Ukrainën, që është një lloj vazhdimi i bisedimeve dhe takimit të mbajtur më 12 shkurt.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, biseda u zhvillua me iniciativën e Shteteve të Bashkuara, ku Blinken dhe Lavrov theksuan se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku për zgjidhjen e problemit.
“Sergey Lavrov theksoi papranueshmërinë e retorikës agresive të Uashingtonit dhe aleatëve të tij më të afërt dhe bëri thirrje për një dialog pragmatik për një sërë çështjesh të ngritura nga Rusia, duke përfshirë parimin e pandashmërisë së sigurisë”, njoftoi Ministria e Jashtme ruse.
Nga ana tjetër, Uashingtoni dha një mesazh të shkurtër pas takimit dhe theksoi se rruga e dialogut është zgjidhja më e mirë e problemeve.
“Nëse Rusia është vërtet e interesuar për zgjidhjen e kësaj krize përmes diplomacisë dhe dialogut, ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Është rruga jonë e preferuar, gjëja e duhur dhe e përgjegjshme. Megjithatë, dialogu duhet të zhvillohet në kontekstin e de-përshkallëzimit”, tha Departamenti i Shtetit.
Edhe pse prej javësh flitet për mënyrën sesi Federata Ruse do të pushtojë Ukrainën më 16 shkurt, tërheqja e sotme e një pjese të trupave ruse nga shumëkush është interpretuar si qetësues i tensioneve.
Presidenti rus Vladimir Putin gjatë ditës u takua edhe me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe gjatë bisedimeve u theksua se Rusia pret që bisedimet diplomatike me Perëndimin të vazhdojnë për kërkesat e sigurisë që Kremlini dërgoi në Bruksel dhe Uashington disa javë më parë. /Telegrafi/