Christopher Nkunku ka bërë përparime të mëdha në karrierë që pas largimit nga Paris Saint Germain.
Mesfushori francez u largua nga kampionët e Ligue 1 në verën e vitit 2019 për 13 milionë euro ku iu bashkua RB Leipzigut.
Që nga ajo kohë, francezi ka luajtur rregullisht dhe është njëri nga mesfushorët më të mirë në Bundesliga.
Gjiganti anglez, Arsenal po e monitoron ecurinë e tij dhe po mendon transferimin e francezit në janar.
23-vjeçari mund të luaj në disa pozita në fushë, si mesfushor qendror, mesfushor ofensivë dhe si anësorë.
Kjo ka bërë që trajneri Arteta të mendojë për angazhimin e tij qysh në afatin kalimtar të janarit.
Nkunku në 11 ndeshjet e para këtë edicion ka shënuar një gol dhe ka asistuar në tre të tjerë, ndërsa edicionin e kaluar pati statistika të jashtëzakonshme ku në 44 takime shënoi pesë gola dhe bëri 16 asistime.
Vlera e tij është rritur ndjeshëm dhe tani Leipzig e vlerëson atë rreth 50 milionë euro.
Gjithsesi Arsenali për ta transferuar yllin e ri francez duhet ta mposhtë konkurrencën e Romës që gjithashtu interesohet për të. /Telegrafi/