Një burrë në Kinë ka fituar epitetin e njeriut më me fat në botë, për faktin se për pak centimetra i shpëtoi vdekjes, ku derisa po qëndronte pranë veturës së prishur në skaj të rrugës një kamion që lëvizte me shpejtësi të madhe ia përplas veturën, dhe e tërheq për dhjetëra metra zvarrë.
Videoja e filmuar nga kamerat e sigurisë, shfaq shoferin e veturës së prishur duke qëndruar në afërsi të rrethojës mbrojtëse në një autostradë në Kinë, kur befasisht nga pas vjen një kamion me shpejtësi të madhe që ia përplas veturën, transmeton Telegrafi.
Por, po të mos ishte reagimi i tij i shpejtë sigurisht se tani do të ishte i vdekur shoferi i veturës, kurse pamjet e publikuara më poshtë tregojnë se si për pak centimetra nuk goditet nga kamioni.
Ngjarja rrëqethëse është filmuar në autostradën Shanghau-Kunming në provincën kineze Zheijang. Sipas mediave lokale, shoferi i veturës së prishur i kishte telefonuar policisë duke kërkuar ndihmë.
Por, ata e kishin këshilluar të ndez sinjalizuesit dhe të vë trekëndëshin rreth 150 metra larg veturës për të paralajmëruar shoferët e tjerë. Megjithatë, kjo nuk i mjaftoi shoferit të kamionit që e goditi me gjithë forcën.