Reperi i njohur Mozzik ka nisur një turne promovues të albumit të tij të ri “Mozzart” nëpër të gjitha qytetet e Kosovës.
Ai është duke shpërndarë albume falas për fansat e tij së bashku me autografe, teksa me qindra të rinj po e presin në sheshet e qyteteve që ai po viziton.
E nisi me Mitrovicën dhe është duke vazhduar në Pejë, reperin 24-vjeçar e pritën plot të rinj fansa, që mezi prisnin të merrnin nga një kopje të albumit “Mozzart” dhe pse jo të kishin një fotografi me Mozzikun.
Reperi hodhi në InstaStory disa imazhe nga tubimi i zhvilluatr në qendër të Mitrovicës, ku edhe pse jemi në mes të një pandemie globale, qindra fansa disa me maska e disa pa to, rrinin të grumbulluar dhe pa distancim social në pritje të reperit.
Shumë prej mediave u mbushën me shkrime dhe kritika rreth faktit se reperi po rrezikon jetën e qytetarëve, duke organizuar tubime të tilla në masë, në një kohë ku distancimi social është obligativ shkaku i virusit COVID-19.
Me të parë gjendjen, Mozzik u lajmërua në InstaStory sërish, duke u bërë lutje fansave të tij që t’i mbajnë maskat gjatë kohës sa ai do t’i vizitojë ata në qytetin e tyre.
“Ju kisha lutur qytetet e radhës, të mbani maskat të gjithë edhe distancën ta mbani! Ju lutem! T’i respektojmë masat! lutje”, ka shkruar Mozzik në InstaStory.
Pastaj, ai publikoi në InstaStory edhe një shkrim revoltues në InstaStory, duke treguar irritimin e tij me disa prej mediave, që kanë raportuar për tubimin dhe mos mbajtjen e distancës në Mitrovicë.
“Aq të aftë jeni ju mediat që shkruani tituj palidhje e gënjeshtra, as një lajm nuk ishte që doli albumi im, e tash po shkruani kishe po rrezikoj të rinjtë e shëndetin e qytetarëve”, shkroi reperi nag Ferizaj në InstaStory.
Vlen të theksohet se përgjatë gjithë këtij udhëtimi nëpër qytetet e Kosovës, Mozzik po shoqërohet me një eskortë nga Policia e Kosovës, të cilët i falënderoi edhe ai vet personalisht. /Telegrafi/