Telegrafi

Po ndryshojnë patentat e shoferit për shtetet evropiane – çfarë po propozon Bashkimi Evropian

Komisioni evropian sot, si pjesë e paketës legjislative për sigurinë rrugore, propozoi futjen e një patentë shoferi të vetëm dixhital në vendet e Bashkimit Evropian dhe rregulla të reja që do të lehtësojnë mbledhjen e gjobave të trafikut të kryera në një shtet tjetër anëtar, si dhe heqjen e patentë shoferit.

“Paketa e sotme synon të thjeshtojë rregullat për patentë shoferët dhe në të njëjtën kohë t’i përshtatë ato me përparimet teknologjike dhe mjekësore në mënyrë që shoferët e rinj të trajnohen më mirë”, tha Komisionerja e Transportit, Adina Valean.

Çfarë thotë propozimi?
Paketa e re duhet të eliminojë edhe mosndëshkimin e atyre që kryejnë shkelje të trafikut në një shtet tjetër anëtar përmes një shkëmbimi më të mirë informacioni për shkeljet e kryera dhe dënimin e drejtuesve të mjeteve që kryejnë shkelje të rënda rrugore, shtoi komisionerja.

Komisioni propozon futjen e një patentë shoferi dixhital për të lehtësuar njohjen e lejeve ndërmjet shteteve anëtare dhe për të lehtësuar dhe thjeshtuar zëvendësimin ose zgjatjen e patentës së shoferit. I gjithë procesi i dhënies së patentës dixhitale do të bëhet online. Do të jetë patenta e parë dixhitale e shoferit në botë. Gjithashtu do ta bëjë më të lehtë shkëmbimin e një leje drejtimi të lëshuar në një vend joanëtar me standarde të ngjashme sigurie për një patentë të BE-së. Përveç asaj dixhitale, që drejtuesit e mjeteve do të kenë në celularin e tyre, do të duhet edhe patentë shoferi në formë fizike.

Periudha e provës për shoferët e rinj
Paketa e re e sigurisë rrugore për drejtuesit e rinj parashikon një periudhë prove dy vjeçare pas kalimit të testit dhe zero tolerance për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur. Edhe pse shoferët e rinj përbëjnë vetëm 8 për qind të të gjithë shoferëve, 2 nga 5 aksidente fatale përfshijnë shoferë nën moshën 30 vjeç.

Ndryshimet në trajnimin dhe testimin e shoferëve janë parashikuar gjithashtu për të mbrojtur më mirë këmbësorët, çiklistët dhe njerëzit me skuter elektrikë.

Propozimi parashikon mundësinë e kalimit të testit teorik dhe praktik të vozitjes në gjuhën amtare në një shtet tjetër anëtar të BE-së.

Gjithashtu propozohet që drejtuesit e kategorisë B mund të drejtojnë automjete me peshë deri në 4.25 tonë në vend të 2.5 tonë aktual nëse ato automjete nuk kanë motorë me djegie të brendshme.

Direktiva e re për heqjen e patentë shoferit
Komisioni propozon një direktivë të re që do të rregullonte heqjen e lejeve të drejtimit për shkelje të rënda rrugore, pavarësisht në cilin vend janë kryer. Tani ka ende boshllëqe që i lejojnë një qytetari të një shteti, kur i hiqet patenta për një shkelje të rëndë rrugore, të shkojë në vendin e tij, të denoncojë zhdukjen dhe të marrë një patentë të re.

Sipas propozimit të ri, kjo nuk do të jetë më e mundur. Propozimi liston shkelje të rënda të trafikut që rezultojnë në konfiskimin e patentës së shoferit në të gjithë Unionin. Bëhet fjalë për shpejtësi të tepruar, 50 km/h më shumë se shpejtësia e lejuar, drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit ose drogës dhe shkaktimi i vdekjes ose dëmtimit të rëndë në trafik.

Sipas direktivës së re, shteti që ka hequr patentë shoferin është i detyruar të informojë shtetin ku është lëshuar patenta.

Në vitin 2019, rreth 40 për qind e veprave penale ndërkufitare mbetën të pandëshkuara, qoftë për shkak se autori nuk u identifikua ose sepse nuk kishte asnjë mënyrë se si të detyrohet shkelësi të paguajë dënimin.

Komisioni po përpiqet ta zgjidhë këtë problem me propozimin e sotëm për t’u lejuar autoriteteve kompetente qasje në regjistrat kombëtarë të patentë shoferëve dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve kompetente në shtetet anëtare.

Rregullat aktuale për shkëmbimin ndërkufitar të të dhënave për shkeljet e kryera mbulojnë shkelje të tilla si shpejtësia ose drejtimi nën ndikimin e alkoolit.

Komisioni tani propozon shtrirjen e tij në shkeljet e mëposhtme: mosmbajtja e distancës së mjaftueshme ndërmjet automjeteve; parakalim i rrezikshëm; parkim i rrezikshëm; kalimi mbi një ose më shumë vija të ndaluara; ngasja në drejtim të gabuar; mosrespektimi i rregullave për lirimin e korridorit të emergjencës dhe përdorimin e një automjeti të mbingarkuar. /Telegrafi/