Një avokat holandez në një rast të madh të bandave kriminale është qëlluar për vdekje jashtë shtëpisë së tij të Amsterdamit – një krim i përshkruar nga policia si jashtëzakonisht brutal.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Derk Wiersum, 44 vjeç, ishte avokati i një dëshmitari shtetëror në një çështje kundër anëtarëve të një bande të dhunshme të drogës, të cilët akuzohen për pesë vrasje midis 2015 dhe 2017.
Sipas raportimeve të para, ka qenë një i dyshuar i veshur me kapuç ai që është parë duke u larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes.
Shefi i policisë Erik Akerboom tha “me këtë vrasje brutale, është kapërcyer një kufi i ri: tani edhe njerëzit thjesht duke bërë punën e tyre nuk ndjehen më të sigurt”.
Jan Struijs i sindikatës së policisë tha se “krimi i organizuar ka marrë plotësisht kontrollin”. Ai tha se Holanda ishte shndërruar në një “shtet narco”.
Dhe Ministri i Drejtësisë, Ferd Grapperhaus, i quajti të shtënat “një sulm ndaj sundimit të ligjit”.
Policia tha se po kërkonin një djalë të ri të veshur me të zeza dhe një kapuç, ku shihej duke ikur nga vendi i ngjarjes pas të shtënave menjëherë pas orës 07:30 me kohën lokale.
Në Twitter avokati Jillis Roelse e quajti atë “një nga ditët më të zeza” për praktikuesit e ligjit penal. /Telegrafi/