Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar sërish nga burgu, duke shpërndarë një mesazh përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen që ka marrë nga ndjekësit e tij, por gjithashtu ka theksuar se i refuzon të gjithë akuzat dhe vendimet që kanë çuar në arrestimin e tij.
Veliaj ka zbërthyer në mënyrë ironike dhe të qartë disa nga argumentet e dhëna për qëndrimin e tij në burg, duke përfshirë dhe një citim nga vendimi i gjykatës.
Për më shumë lexoni postimin e Veliajt:
Përshëndetje me mall për secilin prej jush e mirënjohje për mbështetjen.
Dy ditët e fundit kam zbërthyer arsyetimin fëminor se duhet të rri në burg, se mos iki nga vendi kur jam kthyer 3 herë, dhe se mos prish provat kur, nga lodrat e fëmijëve tek statuset e Instagram-it janë në dorë të Olsit e Sametit.
Argumenti i tretë dhe i fundit i Ols Banit pse duhet të jem në burg është në faqen 278 të vendimit, ku citoj (mos qeshni ju lutem):
“Personi paraqet një rrezikshmëri shoqërore mjaft të lartë… nuk ka shfaqur në asnjë moment shenja të ndonjë reflektimi… Gjykata vlerëson se masa më e përshtatshme është arrest me burg”.
Po mor po, mos u habisni, e zeza mbi të bardhë!
Pra, Zeni, që poqi të gjallë 26 veta, dhe babi i Zenit, që vrau 4 veta me plumba në mish, nuk paraqesin rrezikshmëri. Kurse ai që mbjell pemë, hap korsi biçikletash, ndërton shkolla e parqe, duhet futur në burg se ka rrezikshmëri.
Fiks stereotipi se po punove, luftove e le vepra që prodhojnë fitore të skuadrës tënde, do sulmohesh gjer në dorëzim, sa të thuash “s’ka fat i miri”.
Epo, unë këtë nuk e pranoj! E refuzoj me neveri. Ky s’mund të jetë një vend ku, kush vret është i lirë, e kush punon është në burg. Kjo nuk është drejtësi!
Dhe më qesharakja: S’paskam shfaqur pendesë! Po pendesë nga çfarë? Unë ende nuk kam akuzë! Ç’është kjo logjikë sigurimsash?
“Pendohu sa nuk është vonë, se të kalbëm në burg”.
Ky është turp, por jo drejtësi!
Paçi një ditë të mbarë e plot mirësi.