Telegrafi

Po lundronin me barkë rreth ishullit kur shpërtheu vullkani në Zelandë të Re, për një “fije” floku turistët i shpëtuan vdekjes

Vullkani në ishullin e Bardhë në Zelandë të Re ka shpërthyer sot, kurse të paktën pesë persona kanë humbur jetën. Sipas informatave më të reja rreth 23 persona janë evakuuar, dhe 20 tjerë po konsiderohen si të zhdukur.

Në rrjetet sociale mund të shihen një sërë videosh të këtij shpërthimi të shumëpërfolur. Turisti amerikan Michael Shade, ka publikuar disa video nga ishulli i Bardhë që e kishte vizituar së bashku me familjarët e tij, transmeton Telegrafi.

“Zot. Vullkani në ishullin e Bardhë në Zelandë të Re ka shpërthyer për herë të parë që nga viti 2001. Familja ime dhe unë jemi larguar nga ai vend 20 minuta para shpërthimit. Kemi pritur barkën të na dërgojë, kur pamë atë moment. Është shumë vështirë të besohet në gjithë këtë. I tërë ekipi im ka qëndruar në krater pak minuta para shpërthimit”, ka shtuar ai në Twitter.

Lexo po ashtu Kamera filmoi gjithçka, turistët ishin në krater pak momente para se vullkani të shpërthente në Zelandë të Re

Edhe një turist tjetër, Alexander Kauffman ka filmuar momentin kur vullkani në ishullin e Bardhë shpërtheu, duke “dhuruar” pamje shumë të frikshme. Megjithatë ishte një barkë e vogël që atij dhe miqve me të cilët ishte ua shpëtoi jetën, pasi me shpejtësi të madhe u larguan nga ishulli.

Megjithatë ai ka zbuluar edhe një detaj rrëqethës – grupi tjetër i vizitorëve nuk kishin arritur në kohë të largohen nga ishulli ku shpërtheu vullkani. /Telegrafi/