Më keq se kaq, vështirë se mund të kishin ecur gjëra për qeverinë e djathtë të Italisë. Përpara një jave, kryeministrja Giorgia Meloni, në samitin e BE-së i bëri reklamë modelit të saj se si mund të menaxhohet një qendër për shqyrtimin e kërkesave për azil në një vend të tretë. Por, tani qendra e sapondërtuar në Shqipëri – pa llogaritur personelin italian – sërish ka mbetur bosh, për të dytën herë brenda një kohe të shkurtër.
Në tetor, Italisë iu desh t’i kthejë në vend 16 azilkërkuesit e transportuar në Shqipëri, pasi disa ishin minorenë, një tjetër i sëmurë, e dymbëdhjetë të tjerë sepse, sipas ligjit, aplikimi i tyre duhej shqyrtuar në Itali. Një javë më parë (të premten më 8 nëntor), qeveria ndërmori një përpjekje të dytë duke dërguar shtatë migrantë nga Egjipti dhe Bangladeshi në Shqipëri. Por, të hënën (11 nëntor), një gjykatë në Romë vendosi kthimin e këtyre personave në Itali duke referuar që sqarimi përfundimisht duhej t’i kalonte Gjykatës Evropiane. Një anije e truprojës kufitare i ktheu refugjatët përsëri në Brindizi.
Në rast të mbingarkesës, qeveria italiane shpreson që deri në 40 mijë azilkërkues që tentojnë hyrjen ilegalisht në Itali, t’i zhvendosë në qendrën e Shqipërisë për shqyrtimin e kërkesave të azilit. Por, edhe një muaj pas shtyrjes së herëpashershme, mbetet e paqartë nëse do të mund të merret ndonjëherë, qoftë edhe një vendim i vetëm, për azilin në strehimoren në Shqipëri.
“Tani do të ishte në fakt hapi i duhur që Qeveria Meloni të thoshte: ‘Në rregull, u përpoqëm, por nuk është e mundur'”, thotë Hein, politolog i specializuar në fushën e politikave të emigracionit dhe të drejtën e azilit në Universitetin LUISS në Romë. Kjo për arsye se Gjykata Evropiane dhe disa gjykata italiane, javët e shkuara kanë shprehur rezerva lidhur me konceptin e praktikuar nga Italia lidhur me përcaktimin e vendeve të sigurta të origjinës, “veçanërisht Egjipti dhe Bangladeshi, por edhe Tunizia, që janë vendet nga vijnë kryesisht azilkërkuesit në Itali”, thotë Hein.
Modeli i marrëveshjes me Shqipërinë nuk është e vetmja masë restriktive, përmes së cilës qeveria e partisë së ekstremit të djathtë, “Fratelli d’Italia”, po përpiqet të kufizojë migrimin e parregullt. Qëkur është në pushtet, nga tetori i vitit 2022, janë nxjerrë ligje restriktive lidhur me shpëtimin në emergjencë detare. Anijet tani duhet ta përmbyllin misionin e tyre, sapo të marrin në bord personat në nevojë. Më pas ato udhëzohen të lundrojnë drejt porteve të largëta në veri të Italisë, gjë që ua bën më të kushtueshme dhe jo efikase misionet e shpëtimit.
Organizata e OKB-së për Migracionin (IOM) pranon se gjatë këtij viti ka pasur shumë më pak ardhje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, megjithatë, zëdhënësja e IOM-it shpjegon: “Nëse u referohemi ardhjeve të muajve të fundit, që kanë pasur të bëjnë me mot të keq, mund të thuash se marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë deri tani nuk ka pasur ndonjë efekt frenues. Vetëm gjatë njëmbëdhjetë ditëve të fundit janë regjistruar mbi 3300 ardhje migrantësh përmes rrugëve detare në Itali”. Zëdhënësja shton se Evropa, duke iu referuar numrit të mbërritjeve të migrantëve të parregullt, aktualisht është shumë larg situatës së emergjencës të vitit 2015.
Pavarësisht problemeve, marrëveshja e Italisë me fqinjin përtej Adriatikut, duket se u mirëprit edhe nga qeveritë e tjera evropiane; Danimarka, Holanda, por edhe politikanë të opozitës në Gjermani preferojnë marrjen në konsideratë të modelit për kanalizimin e migracionit drejt vendeve të treta. Italia është një rast precedent brenda BE-së dhe me këtë tërhoqi mjaft vëmendjen, ashtu si më parë edhe Britania e Madhe. Marrëveshja e Londrës me Ruandën përfundimisht dështoi në verë, pasi qeveria konservatore pati investuar rreth 830 milionë euro.
“Vështirësitë ligjore, logjistike dhe financiare – dhe këtë e tregoi edhe modeli i Shqipërisë – janë aq të mëdha, sa në fund i gjithë ky mobilizim burimesh dhe energjish nuk ia vlen”, konkludon Christopher Hein. Kemi të bëjmë me “përpjekje të dështuara, për ta devijuar në mënyrë të gabuar situatën e migracionit dhe azilit, gjë që nuk u shërben as azilkërkuesve dhe as nuk justifikon nevojat e popullsisë për më shumë rregull”.
Edhe për Italinë, modeli me Shqipërinë rrezikon të kthehet në një dështim financiar. Qeveria i llogarit kostot e menaxhimit deri në vitin 2029 në mbi 500 milionë euro. Ndërkohë, është vënë në lëvizje Kontrolli i Shtetit në Itali – vendi i BE-së me borxhe të larta.
Profesori i Jurisprudencës, Hein, vëren se ka dukshëm një disproporcion mes shpenzimeve dhe numrit të azilkërkuesve për të cilët bëhet fjalë: “Kjo mund të ketë madje edhe pasoja penale”. Kontrolli i Shtetit, sipas Heinit, ka edhe kompetencën që si rezultat i verifikimit të pezullojë shpenzimet e mëtejshme.
Javët e ardhshme pritet vendimi i Gjykatës së Kasacionit, nga instanca më e lartë në Itali – lidhur me çështjen nëse Italia i ka shkelur rregullat evropiane në shpalljen e vendeve të origjinës si të sigurta. Edhe nga Gjykata Evropiane në Luksemburg pritet vendimi. Është e mundur që së shpejti këto instanca do të vendosin nëse Qeveria italiane do të mund t’i përmbahet modelit të saj me Shqipërinë ose jo. /DW/