Një kompani farmaceutike e ndodhur në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës është qëlluar me breshëri automatiku nga persona ende të paidentifikuar.
Policia bën me dije se nga këqyrja e kamerave të sigurisë është zbuluar se autorët kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një automjet në lëvizje.
Ngjarja ka ndodhur rreth sot rreth orës dy të mëngjesit, por policia është njoftuar 6 orë me vonesë, kur në godinë kanë shkuar punonjësit e administratës që kanë parë shenjat e plumbave në fasadën e xhamtë.
Drejt godinës mësohet se është qëlluar të paktën me 30 plumba, por fatmirësisht pa të lënduar në njerëz, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Në momentin e të shtënave, në kabinë ndodhej vetëm roja e sigurisë. I marrë në pyetje nga policia, ai ka pohuar se ka dëgjuar zhurma dhe kur ka dalë nga kabina nuk ka konstatuar gjë, dhe për këtë arsye nuk ka lajmëruar forcat e rendit. Në pyetje është marrë edhe pronari i kompanisë farmaceutike, i cili ka mohuar të ketë konflikte me njeri.
Hetuesit kanë ngritur dyshimet se sulmi me armë drejt godinës mund të jetë një mesazh kërcënues për pronarin e kompanisë, si dhe janë duke u hetuar konfliktet e mundshme që ai mund të ketë me persona të tjerë. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë ka rezultuar se automjeti i autorëve pas ngjarjes lëviz në drejtim të zonës së Kasharit, ku janë duke u këqyrur një sërë pamjesh të bizneseve përgjatë zonës, që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.